Anuloj apo Anulloj, Holandë apo Hollandë, Lotari apo Llotari?
PYETJE:
Deri para pak ditësh nuk kisha asnjë dyshim, madje as më kish shkuar ndonjëherë mendja, që fjalët llotari, Hollandë e anulloj nuk janë sipas normës letrare. Trajtat normative të këtyre fjalëve – dhe këtë ma tha ime bijë, që është në klasë të tetë – qenkan lotari, Holandë e anuloj. A është e vërtetë kjo dhe, nëse po, si shpjegohet?
I shkëputëm këto radhë nga letra e një dëgjuesi të radios sonë, i cili kërkon mendimin e gjuhëtares.
PËRGJIGJE: Po, është e vërtetë që lotari, anuloj, Holandë e, bashkë me këtë të fundit, dhe holandez, janë trajtat normative apo, siç thuhet ndryshe, standarde të këtyre fjalëve. Këto trajta janë sanksionuar për herë të parë te Drejtshkrimi i gjuhës shqipe (paragrafi 36, pika ll), janë futur pastaj nëpër fjalorë, duke u bërë kështu të detyrueshme për të gjithë përdoruesit e gjuhës letrare.